Sipas raportit më të fundit të organizatës “Freedom House” për vendet në tranzicion, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë. Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku futen ato vende ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.
Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.Në raport vërehet se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht. Prej fillimit të procesit të vetingut, janë rritur pritshmëritë, se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur, por në raport thuhet se ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht.
Për sa i takon korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. Por raporti vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.