Fredi Beleri lirohet me kusht, reagon Athina zyrtare
Lexohet për: 2 min.
gv3e2
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata e Fierit vendosi sot të lirojë nga burgu Fredi Belerin me kusht që ai të mbajë kontakte telefonike me policinë.

Beleri ishte në burg prej 16 muajsh, i dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pritej ta përfundonte dënimin në tetor.

Athina zyrtare reagoi me tone pozitive për lirimin e Fredi Belerit. Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis përshëndeti lirimin e tij nga drejtësia shqiptare, duke theksuar se megjithatë “Athina nuk e harron atë që ndodhi”.

Lirimi i Belerit u cilësua si zhvillim pozitiv edhe nga ministri i Jashtëm grek, Gerapetritis.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, nën akuzën për blerje të votave. Ai doli fitues si kryetar i Bashkisë së Himarës me një diferencë të ngushtë ndaj rivalit socialist.

Por gjendja në paraburgim dhe dënimi nga gjykata nuk i mundësoi kryetarit të zgjedhur të Himarës marrjen e mandatit dhe në gusht të këtij viti në Himarë u zhvilluan zgjedhje të reja.

Në prill të këtij vitit Partia “Demokracia e re” në Greqi e kandidoi Fredi Belerin si eurodeputet dhe në votimet që u zhvilluan në qershor në Greqi ai fitoi mandatin për në Parlamentin Evropian.

Në mesin e korrikut, Fredi Beleri që vuante dënimin në një burg të Fierit, mori leje nga administrata e burgjeve shqiptare për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të tij si eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Evropian. /VoA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024