Franca do të ndihmojë Malin e Zi kundër sulmeve kibernetike
Lexohet për: 2 min.
t53t
2 vite më parë
Linku u kopjua

Franca do të ofrojë ekspertizën e saj në fushën e sigurisë kibernetike për institucionet qeveritare në Mal të Zi, me kërkesë të këtij vendi anëtar të NATO-s, i cili është objektiv i një sulmi të madh hakerësh ndaj institucioneve qeveritare, njoftuan sonte autoritetet franceze.

“Qeveria franceze i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së autoriteteve malazeze dhe po vë në dispozicion Agjencinë Kombëtare për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit (ANSSI) për të kryer një mision mbështetjeje dhe asistence në zbulimin, analizën dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike," tha përfaqësuesi i qeverisë i ngarkuar për tranzicionin digjital dhe telekomunikacionin Jean-Noël Barrot.

Sipas tij, ANSSI do t'i sigurojë Malit të Zi kapacitetet e tij për analiza dhe këshilla, ekspertizë dhe njohuri për të nisur masat e para emergjente.

Barrot shtoi se misioni është në përputhje me projektin e krijimit të një qendre rajonale për zhvillimin e kapaciteteve kibernetike, të udhëhequr nga Franca dhe Sllovenia, me seli në Mal të Zi.

Ndryshe, serverët e qeverisë së Malit të Zi ishin ende sot objektiv i sulmeve kibernetike, por ato janë neutralizuar, sipas autoriteteve.

Ata thonë se të dhënat e qytetarëve janë të sigurta, por paralajmërojnë se këtyre sulmeve nuk u duket fundi. As motivet dhe as pasojat nuk janë vërtetuar ende, thonë zyrtarët.

Deri më tani dihet se të dhënat në kompjuterët e nëpunësve civilë janë komprometuar. Dyshohet se prapa sulmeve qëndrojnë hakerë nga Rusia.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025