Policia e Kosovës është forcuar edhe më shumë në luftimin kundër kontrabandës me armë ilegale të vogla dhe të lehta, falë donacionit të ofruar të pajisjeve profesionale nga UNDP-ja.
Pajisjet të cilat i ka pranuar këtë të enjte, Policia e Kosovës si skanerë dore, kamera termike, endoskopë dhe dronë me rezolucion 4k, do t’ia lehtësojnë zyrtarëve policorë të pikave kufitare zbulimin e armëve dhe municioneve që mundë t’i kenë personat e dyshuar brenda veturave.
“Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, tashmë ka hartuar dhe miratuar strategjinë dhe planin e veprimit për armët e vogla dhe të lehta, i cili është në përputhje të plotë me udhërrëfyesin rajonal dhe ka të integruar dhe më të theksuar aspektin gjinorë dhe çështjet e identifikuara të zbatimit të strategjisë së kaluar. Për momentin dokumenti strategjik është vendosur në platformën për konsultime publike dhe pas këtij procesi do të procedohet për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme është në finalizim të ligjit për armët dhe ligjin për përdorim civil të eksplozivëve, të cilët janë harmonizuar në plotëni me direktivat e Bashkimit Evropian që rregullon fushën e armëve të vogla dhe të lehta dhe eksplozivët, si dhe janë përfshirë dhe janë adresuar vështirësitë të identifikuara gjatë zbatimit të tyre, deri më sot agjencitë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera brenda Republikës së Kosovës, kanë marrë mbështetje të vlefshme e cila na ka mundësuar zbatimin efektiv të udhërrëfyesit deri në vitin 2024, ne kemi treguar dhe dëshmuar se jemi shumë serioz dhe të përkushtuar për të avancuar nivelin e sigurisë, sidomos kur bëhet fjalë për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta dhe luftimin e trafikut të paligjshëm të armëve .... Ministria e Punëve të Brendshme dhe komisioni nacional për armë të vogla dhe të lehta iu sigurojnë dhe shprehim gatishmërinë që të punojmë për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurt dhe të kontribuojmë në ngritjen e sigurisë për gjithë rajonin, si dhe për vet Bashkimin Evropian”, tha Sfecla.
Ndërsa, përfaqësuesja e UNDP-së për Kosovën, Maria Suokko ka thënë se ende vazhdojnë tendencat për kontrabandimin e armeve në Kosovë, por që Policia e Kosovës është duke u avancuar për të parandaluar këtë dukuri, si dhe është shembull i vetëm në rajon në juridiksionin me qenë të veçantë K9.
Drejtori i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka falënderuar fondin për zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe vendet mbështetëse, përmes programit për siguri në kuadër të fondit për zhvillim të organizatës së kombeve të bashkuara UNDP.
“Na janë siguruar pajisje mjaftë të nevojshme për Policinë e Kosovës ata me këtë rast dua ta falënderojë edhe menaxherin e këtij programi z Mentor Cakollin për bashkëpunimin e shkëlqyer...Mbështetja e vazhdueshme deri më tash e fondit për zhvillim në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe hetimin dhe trafikimin ilegal të armëve, municioneve, eksplozivëve që ka qenë shumë e rëndësishme dhe e dobishme për Policinë e Kosovës, siguria është një element kyç në çdo shoqëri në botë, të qenit në gjendje që të jetojmë dhe funksionojmë të lirshëm dhe pa frikë nga krimi është interes i çdo qytetari, pavarësisht mosha, gjinia, raca, feja, prandaj çdo rrezik në siguri e dëmton rëndë parimet themelore të të drejtave të lirive të njeriut” ka thënë Mehmeti.