FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë
FMNNN
20/05/2025 - 18:24
Linku u kopjua

Këshilli i Ekzekutivit të Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi rishikimin e katërt dhe të fundit të Marrëveshjeve të Stand-By dhe të Shpërblimit të Qëndrueshmërisë për Kosovën, njofton FMN, raporton KosovaPress.

Sipas FMN-së, pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja ekonomike në Kosovë pritet të mbetet në katër për qind në vitin dymijë e njëzet e pesë.

Po ashtu FMN njofton se gjatë vitit 2025, inflacioni do të jetë dy pikë njëzet e pesë për qind.

“Kosova ka shënuar një performancë të fortë ekonomike, me rritje prej katër pikë katër për qind në vitin dymijë e njëzet e katër, kryesisht për shkak të konsumit të familjeve dhe kredive private. Inflacioni ka rënë në një pikë gjashtë për qind nga katër pikë nëntë për qind në vitin dymijë e njëzet e dy. Deficiti i llogarisë jashtme është zgjeruar në nëntë për qind të PBB-së, pasi rritja e konsumit dhe investimeve çoi në rritjen e importeve. Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja pritet të mbetet në katër për qind në vitin 2025, me inflacionin që stabilizohet në dy pikë njëzet e pesë për qind”, thuhet në komunikatën e FMN-së.

Në kuadër të rishikimit të katërt, FMN tha se “ky rishikim ka mundësuar disbursimin e SDR 13.352 milionë (16.08 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe SDR 7.744 milionë (9.32 milionë euro) në kuadër të RSF-së. Kështu, total i disbursimeve nën RSF arrin në SDR 61.95 milionë (74.61 milionë euro), ndërsa SBA-ja ka arritur në SDR 80.122 milionë (96.5 milionë euro)”.

Më tej thuhet se programet e implementuara kanë arritur të gjitha kriteret e performancës dhe objektivat për fundvitin 2024, duke përfshirë masat strukturore si krijimi i një funksioni për parashikimin e cash-it në Ministrinë e Financave dhe zhvillimin e një plani për vlerësimin e riskut në sektorin bankar. Po ashtu, është realizuar masë për lansimin e një ankandi për ndërtimin e një impianti energjetik me erë, si pjesë e reformave në sektorin energjetik.

Bo Li, zëvendës Drejtor Menaxhues i FMN-së dhe Kryetar i Përkohshëm, tha se “Kosova ka përmirësuar mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e investimeve publike, duke rritur transparencën fiskale dhe përmirësuar menaxhimin e riskut fiskal. Reforma të rëndësishme janë bërë dhe në sektorin financiar, duke përmirësuar qeverisjen dhe forcimin e kapitalizimit dhe likuiditetit të bankave”.

“Kjo ecuri pozitive në kuadër të SBA dhe RSF ka mbështetur agjendën e autoriteteve për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për përmbushjen e objektivave të klimës dhe energjisë, me fokus në burime të rinovueshme dhe bashkëpunim rajonal”, shtoi ai.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026