Basketbollisti Dardan Berisha së fundi ka vendosur që të largohet nga klubi i basketbollit Peja për t’iu bashkuar Sigal Prishtinës.
Ky transferim bëri bujë të madhe në basketbollin vendor pasi Berisha është njëri nga basketbollistët më të spikatur që e ka ky sport në vendin tonë.
“Ambiciet e klubit, me Pejën i kemi arritur synimet tona. Me marrëveshje dhe me mirëkuptim të dyanshëm jemi ndarë. Po besoj që të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pa u definuar do të kryhen, por thjeshtë e kemi parë të arsyeshme edhe unë edhe ata për ta shkëputur kontratën kështu që i vetmi klub që kisha pasur dëshirë me ardhur u kon Prishtina. Unë vetëm në Prishtinë dhe Pejë kam luajtur në Kosovë kështu që kjo është shtëpia ime, kam luajtur pesë vite këtu, i di të gjitha dhe projekti i Prishtinës shumë i mirë, ambicion edhe në garat ndërkombëtare edhe këto vendore. Prishtina dëshiron të kthehet aty ku e ka vendin dhe për këtë arsye edhe kam ardhur dhe po besoj që ambiciet e klubit do t’i arrijmë”, tha Berisha.
Te Sigal Prishtina risi ka edhe sa i përket trajnerit. Në krye të klubit ka ardhur Ekrem Memnun për të cilin Berisha thotë se ka shumë eksperiencë dhe se do t’i jap shumë klubit.
Madje Berisha thotë se te Prishtina ka ardhur edhe për t’i ndihmuar lojtarët e rinj dhe ata të huaj që do të vijnë.
“Për ata edhe kam ardhur, të iu ndihmojë lojtarëve të rinj por edhe motivi im definitivisht është rritur këtu, kështu që kjo është ndihme të për të gjithë, edhe për mua edhe për lojtarët e rinj edhe për klubin po besoj kështu që do të mundohem ta jap maksimumin për ta ndihmuar edhe trajnerin edhe lojtarët që do të vijnë të huaj, edhe të rinjve. E di çfarë pret Prishtina, edhe ligën e Kosovës e di edhe këto ndërkombëtaret njëjtë kështu që po besoj që të gjithë janë në plus me këtë transferimin tim në Prishtinë.”, tha ai.
“Do të jetë e forte, kjo është shumë e mirë për basketbollin, konkurrenca është në rritje. Janë ekipet që janë përforcuar dhe janë shumë më serioze se sa kanë qenë kështu që kjo është e mira edhe për basketbollin e Kosovës edhe për konkurrencën edhe për tifozët do të mbushen në secilën sallë dhe do të jetë atmosfera që basketbolli di ta jap në sportin e Kosovës. Lufta do të jetë shumë e ashpër, por po besoj që në fund do ta arrijë ai që është më i përgatituri dhe ekipa ma e mirë do të fitojë”, tha në fund Berisha.
Shumë i lumtur me ardhjen e Dardan Berishës në klub u shpreh edhe trajneri Ekrem Memnun i cili tha se eksperienca e një lojtari si Dardan Berisha ishte duke i munguar shumë klubit.