Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta ndërroi jetë më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.
Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.
Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vet me fjalët: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.
Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.Gjergj Fishta u lind në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik.
Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vjet të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.
Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Fishta arriti të botojë këngët e para të "Lahuta e Malcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tri vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit" dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika veset". Më 1913 boton "Mrizi i Zanave". Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix ". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve '90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.
Aktiviteti i tij patriotik
Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi".
U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.