Fiorentina barazon ndaj Juventus në një ndeshje dramatike
Sport
Lexohet për: 2 min.
Juventus dhe Fiorentina kanë barazuar në sfidën e vështirë sonte në Torino, në kuadër të xhiros 18 së Serie A.
Khephren Thuram shënoi për epërsinë e parë të Zonjës së vjetër në minutën e 20-të. Ishte një aksion i shkëlqyer nga futbollisti i Juventusit, i cili u fut në zonën e rreptësisë përpara se të mposhtte David De Gea me një goditje të shpejtë dhe të saktë.
Moise Kean i Fiorentina mposhti Michele Di Gregorie për barazimin 1:1 pas harkimit të shkëlqyer nga Yacine Adli, në minutën e 38-të.
Tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Khephren Thuram shënoi për epërsinë e dytë të Juventusit, pas asistimit të Manuel Locatelli.
Kur pritej që tri pikët të mbeteshin në stadiumin “Allianz”, skuadra nga Firenca barazoi në një finish dramatik me golin e Riccardo Sottil në minutën e 87-të.
Fiorentina pas këtij barazimi të madh renditet me 33 pikë në pozitën e pestë. Juventus mbetet pa humbje pas 18 xhirosh, me 11 barazime dhe shtatë fitore në pozitën e gjashtë me 31 pikë. Në tabelë prijnë skuadrat Atalanta dhe Napoli me nga 41 pikë.