Ka filluar sot testimi fizik i grupit të parë të të rinjve, të cilët synojnë të shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ata kanë aplikuar përmes konkursit për pranimin e 612 pjesëtarëve të rinj aktiv dhe 388 të komponentës rezervë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka potencuar se ka ndjekur nga afër procesin e testimit në Qendrën e Palestrës së Sporteve në Kazermën “Adem Jashari”.
Ai ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK garantojnë proces transparent.
“Ministria e Mbrojtjes si institucion dhe FSK si organizatë, u garanton proces transparent, të monitoruar nga instruktorët e FSK-së, përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, organizatat joqeveritare, si dhe mediet, duke mundësuar kështu raportim në kohë reale, e përzgjedhjen e më të mirëve. Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë që synon shërbimin në NATO, andaj dhe ushtarët tanë janë të nivelit të tillë. Më të mirët për t'i shërbyer aleancës më të suksese!”, ka shkruar ai në Facebook.