Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar seanca gjyqësore në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Në këtë seancë pritet që mbrojtja të fillojë paraqitjen e provave në rastin e Nasim Haradinaj.
Seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur më 15 dhjetor të vitit të kaluar ku mbrojtja e Nasim Haradinajt në deklaratën hapëse para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kishte thënë se Haradinaj nuk i ka penguar hetimet dhe as punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.