Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen tjetër urgjente nën drejtimin e nënkryetarit Bakir Burri, pas zhvillimeve të javës së kaluar në lidhje me presidentin Agim Ademi dhe veprimet dhe shqetësimet e krijuara në hotelin ku është i akomoduar ekipi kombëtar.
Në mbledhjet e kaluara, për shkak të mungesës së informacioneve zyrtare se çfarë po ndodhë, KE i FFK-së nuk ka mundur të ndërmarrë asnjë veprim, por tani kur është informuar nga deklaratat publike nga policia dhe prokuroria lidhur me rastin si dhe informatat e marra, shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që këto çështje, përveç në organet e hetuesisë, konform statutit dhe akteve normative t’i adresojë edhe në Komisionin Disiplinor dhe të Etikës të FFK-së, në mënyrë që çdo parregullsi apo shkelje potenciale, që mund të ketë ndodhur, të trajtohet me kujdesin dhe seriozitetin më të madh si dhe kërkon që ky komision të marrë verdiktin bazuar në aktet e saj normative.
Gjithashtu, KE i FFK-së vendosi që t’i informojë instancat më të larta ku bënë pjesë, UEFA-n dhe FIFA-n dhe t’ua paraqesë një raport të detajuar mbi zhvillimet e fundit dhe njëherësh t’i mbajë të informuara në vazhdimësi.
Njëherësh, KE shpreh indinjatën në lidhje me veprimet dhe shqetësimet që kanë ndodhur në ambientet ku ishte Kombëtarja e Kosovës dhe në selinë e FFK-së, e që sipas bindjes së KE të FFK-së, një pjesë e tyre kanë qenë pa bazë ligjore dhe kanë fyer dinjitetin e ekipit dhe stafit të Kombëtares.