Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka lëshuar një komunikatë zyrtare përmes së cilës ka dënuar ashpër retorikën e dhunës, kërcënimet e ofendimet në stadiume e media, dhe në të gjitha sferat e futbollit së fundmi.
FFK bëri të ditur se në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, institucionet e tjera shtetërore si dhe UEFA-n e FIFA-n, po angazhohet në luftën kundër çdo lloj forme të parregullsisë në futboll, raporton KosovaPress.
Të gjithë pjesëmarrësit në futboll duhet të kuptojnë dhe të kujdesen për misionin e tyre: futbollistët për performancën e tyre, trajnerët për edukimin dhe përgatitjen e ekipit, drejtuesit e klubeve për organizimin dhe krijimin e kushteve më të mira, gjyqtarët për drejtësi, tifozët për mbështetjen e klubit dhe korrektësinë ndaj kundërshtarit, dhe gazetarët për pasqyrimin e vlerave të futbollit dhe kritikën pa tendencë.
Edhe njëherë rikujtojmë çdo palë në futboll që FFK-ja është e pakompromis në luftën e dukurive negative dhe kushdo që e shkel integritetin e garave dhe rregulloret e garave do të ndëshkohet me dënimin më të rëndë, pasi do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë atyre që dëmtojnë futbollin”, shkruante ndër të tjera në komunikatën e FFK-së.