Festivali i Shkathtësive Digjitale, tranzicioni digjital ndikon në përmirësimin e arsimit
Lexohet për: 3 min.
Hapja e Festivalit te Shkathtesive Digjitale_25.05.2024 (3)
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Më shumë se 500 studentë dhe entuziastë të teknologjisë ishin pjesë e një numri aktivitetesh të fokusuara në 'Tranzicionin Binjak' drejt një të ardhmeje të qëndrueshme digjitale si pjesë e edicionit të dytë të Festivalit të Shkathtësive Digjitale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren. 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se tranzicioni digjital dhe i gjelbër është mënyra optimale për të garantuar transformimin efikas të arsimit dhe përmirësimin e cilësisë së tij.

“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit janë përherë në krye dhe në krah të nismave që mbështesin këtë objektivë, dhe Festivali i Shkathtësive Digjitale është shembull i shkëlqyer për arritjen e këtij qëllimi madhor,” tha ajo.

Ndërsa, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, tha inovacioni dhe epoka digjitale po e transformojnë botën në mënyra të paimagjinueshme.

“Nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive, ne mund të rrisim konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat e rinj”, tha Hajdari.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog tha se Festivali i Shkathtësive Digjitale është një mundësi për të eksploruar  tranzicionin e gjelbër dhe digjital.

“Këto tranzicione nuk janë vetëm rrugë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por janë thellësisht të ndërlidhura. Inovacionet digjitale mund të zhbllokojnë efikasitetin në energjinë e ripërtërishme, bujqësinë e qëndrueshme dhe modelet ekonomike qarkore. BE është krenar që e mbështet Kosovën në këtë rrugëtim, duke nxitur rritjen ekonomike, sociale dhe mjedisore. Mezi pres të shoh idetë dhe bashkëpunimet inovative që do të dalin nga ky festival,” tha ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, theksoi se Festivali vjetor i Shkathtësive Digjitale është një mundësi e shkëlqyer, ku mendjet e zgjuara me bazë ndërdisiplinore nga e gjithë Kosova dhe më gjerë takohen, mësojnë së bashku dhe krijojnë inovacione.

Programi i gjerë i festivalit përfshin diskutime të hollësishme, punëtori gjithëpërfshirëse dhe prezantime frymëzuese që janë përshtatur për pjesëmarrësit duke përfshirë profesionistë, biznese dhe studentë.

Festivali organizohet përmes komponentit Digjital për Biznesin, i zbatuar në kuadër të Qendrës së Transformimit Digjital të ITP-së si bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria gjermane.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024