Kryetari i Komunës së Istogut Ilir, Ferati e konsideron të rëndë gjendjen në këtë komunë si pasojë e vërshimeve. Ai thotë se situata është e ngarkuar me sasi të ujit më shumë se herën e kaluar kur kjo komunë u përball me vërshime.
Megjithatë ai thotë se vërshimet nuk janë përhapur në gjithë territorin e komunës së Istogut dhe se banorët nuk janë në rrezik. Por thekson se dëmet janë më të mëdha.
Në këtë komunë janë tetë fshatra të cilat po përballën me vërshime derisa fshati Drejë shënon 12 familje që vazhdojnë të jenë të bllokuara deri në arritjen e ekipeve të FSK-së për evakuim.
Ferati thotë se të gjithë banorët e bllokuar do të largohen sot nga shtëpitë e tyre.
Ai thotë se familjet e prekura nga vërshimet do të përkrahen për sanimin e dëmeve.
“Fillimisht ofrimi i gjërave bazike, rroba, batanije, dhe ushqim, ofrimi i strehës zakonisht përdoren familjarët qe i kanë më të afërt, pastaj ekipet tona dalin të bëjnë vlerësimin e situatës dhe dëmeve dhe u drejtohemi Agjensionit të Emergjencave në Ministrinë e Brendshme , qe sado pak të ua lehtësojmë dënim që u ka ndodh”, thotë kryetari i Istogut.
Ekipet emergjente të komunës dhe zjarrfikësit nuk kanë arritur të depërtojnë në këto shtëpi dhe po presin ekipet e FSK-së që t’u dalin në ndihmë.
Deri më tani, janë dy familje shtëpitë e të cilëve ndodhen në fillim të fshatit Drejë, të cilat kanë arritur të evakuohen./G.Kadrija