Ish-presidenti Donald Trump është i sigurt pas asaj që zyrtarët thonë se ishte atentati i dytë, i pasuksesshëm në dy muaj ndaj tij. FBI mori përsipër çështjen pas të shtënave të së dielës ndërsa siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell i dyshuari po mbahet në paraburgim. Kjo përpjekje e dytë vetëm sa shton zhvillimet dramatike që po përjetojnë amerikanët në këtë fushatë zgjedhore.
Për herë të dytë në nëntë javë, ish-Presidenti Donald Trump i shpëtoi një atentati të mundshëm. Sipas Byrosë Federale të Hetimit (FBI), rasti i fundit ndodhi të dielën pasdite, në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridas.
Ndryshe nga hera e parë, kjo nuk ndodhi në transmetim të drejtpërdrejtë, siç ndodhën të shtënat të cilave zoti Trump u mbijetoi më 13 korrik. Atëherë zoti Trump u plagos në vesh, ndërsa një pjesëmarrës në tubimin zgjedhor të tij u vra.
Ditë më vonë, zoti Trump mori emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president.
Zyrtarët të dielën thanë se ish Presidenti nuk ishte lënduar.
Drejtuesi i policisë lokale tha se i dyshuari u largua, duke lënë pas një ‘pushkë të stilit AK-47’, një kamera të llojit ‘GoPro’ dhe dy çanta. Policia më vonë e kapi atë teksa po kalonte me shpejtësi përgjatë autostradës kryesore duke shkuar drejt qarkut fqinj.
“Agjenti i Shërbimit Sekret që ishte afër bëri një punë fantastike. Ai arriti të dallojë tytën e pushkës që shihej përtej shkurres ku qëndronte i dyshuari dhe oficeri reagoi menjëherë duke qëlluar. Në atë kohë ai individ iku menjëherë”, thotë Rick Bradshaw, drejtues i policisë në Palm Beach.
“Presidenti dhe Nënpresidentja janë informuar për incidentin në fushën e golfit, ku ish-presidenti ishte duke luajtur golf. Ata ndjehen të lehtësuar që kanë marrë vesh se ai është i sigurt”, thuhet në këtë deklaratë.
Policia njoftoi se i dyshuari ishte “midis 275 dhe 450 metrash” nga zoti Trump, i fshehur në shkurre.
Atë që një person i armatosur me një armë të llojit AK-47 arriti t'i afrohej kaq shumë ish-presidentit./VOA