Organizatat joqeveritare ngrenë alarmin për gjendjen e rëndë ekonomike të familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara. Kujdesi për fëmijën ua pamundëson prindërve të punësohen, derisa thuhet se këto familje jetojnë me më pak se tri euro në ditë. Në anën tjetër, po kërkohet vëmendje nga institucionet për ofrimin e shërbimeve sociale.
Pavarësisht aprovimit të Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare, drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova", Sebahate Hajdini Beqiri thotë se edhe këtë vit nuk ka pasur rritje të buxhetit për shërbimet sociale.
Kryetari i Forumit Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu thotë se një pjesë e madhe e prindërve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk janë të punësuar.
Hatixhe Hoxha, e cila është drejtoreshë e organizatës “Autizmi”, thotë se shërbimet janë të kushtueshme dhe barrë për familjet.Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vendet në zhvillim si Kosova, janë 7 deri në 10 për qind persona me aftësi të kufizuara.