Në Ditën Kombëtare të Kosovës të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) rikonfirmon përkushtimin dhe obligimin e tij për ta mbështetur përmbushjen e të drejtës së familjeve të 1621 personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.
Për ta bërë këtë, EULEX-i dhe OJQ Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH), janë duke i organizuar një varg sesionesh informuese në mbarë Kosovën me anëtarët e familjeve të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe pas saj.
“Familjet duhet ta dinë të vërtetën dhe askush nuk ka të drejtë që t'ua mohojë këtë. Kjo është mundësia që familjet të marrin disa përgjigje”, tha Bajram Qerkinaj, drejtor ekzekutiv i QBPZH-së. Ndërsa, Negovan Mavriq, zëvendësdrejtor i QBPZH-së theksoi se çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë.
“Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt".
Zëvendës-Drejtori i IML-së dhe arkeologu mjeko-ligjor i EULEX-it, Javier Santana, foli për sfidat me të cilat ballafaqohen ekspertët e mjekësisë ligjore në procesin e përcaktimit të fatit të personave të zhdukur në Kosovë: (a) faktin që një numër i konsiderueshëm i personave të zhdukur janë varrosur në varre të vogla, klandestine apo edhe në varreza nga autorët për ta vështirësuar kërkimin për personat e zhdukur dhe për t’i fshehur provat e këtyre krimeve, (b) mungesën e informatave të reja dhe të besueshme për vendndodhjen e varreve (c) faktin se jo të gjithë familjarët e personave të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut për analizën e ADN-së, duke ua bërë kështu më të vështirë ekspertëve identifikimin e mbetjeve mortore dhe (d) çështjen e identifikimit të gabuar. Pas luftës, kufomat u identifikuan në mënyrë të shpejtë pa hollësi, për shembull përmes fotografive ose rrobave, duke rezultuar në gabime të cilat sot janë të vështira për t'i gjetur dhe korrigjuar.
Antropologia Forenzike e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se që nga fillimi i mandatit të tij, ekspertët e EULEX-it kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, të cilat kanë rezultuar në identifikimin e 332 personave të zhdukur. “Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t'u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, përfundoi Marinho.