FA tërheq seritë e gatimit pas akuzës për dhunim ndaj yllit të YouTube
Sport
Lexohet për: 2 min.
g443g3
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Federata e Futbollit e Anglisë ka tërhequr një seri të re gatimi nga interneti, në të cilin do të shfaqeshin Yung Filly dhe disa futbollistë të njohur anglezë, pasi ylli i You Tube-s, njëherësh këngëtari britanik u akuzua për dhunim, raporton Sky News.

Fushata "The Greater Game" u lansua dje nga FA me sponsorin e ekipit anglez M&S Food për të promovuar ushqimin e shëndetshëm.

Futbollistët Bukayo Saka, Ezri Konsa dhe Jarrod Bowen do të shfaqeshin në video si pjesë e serisë në një kanal të FA në YouTube, por organi qeverisës për futbollin anglez reagoi me shpejtësi pasi Yung Filly - emri i vërtetë i të cilit është Andres Felipe Valencia Barrientos - ishte arrestuar në Australi të martën.

Ylli i internetit, i cili ka luajtur ndër vite në ndeshje futbolli bamirësie, akuzohet se ka sulmuar seksualisht një 20-vjeçare në dhomën e tij të hotelit në Perth pas një shfaqjeje në Hillarys, në Australinë Perëndimore ku ai ndodhet për një turne.

29-vjeçari u paraqit në gjykatë të enjten, pasi ndaj tij ishin ngritur katër akuza për marrëdhënie seksuale pa pëlqim, tri akuza për sulm dhe një akuzë për pengim të frymëmarrjes normale të një personi duke ushtruar presion në qafën e tij.

Çështja është shtyrë dhe Filly u lirua me kusht, i cili përfshin ndalimin e kontaktit me viktimën e tij ose postim në mediat sociale për rastin për miliona ndjekësit e tij, raporton ABC.

Filly ka 3.2 milionë ndjekës në Instagram, 3.2 milionë në TikTok dhe 1.8 milionë abonues në YouTube.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025