Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka pranuar zyrtarisht Aprovimin e Eurostatit për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore (NUTS).
Në një letër nga drejtoresha e përgjithshme e Eurostatit, Mariana Kotzeva, dërguar zëvendëskryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir T. Berisha, është bërë i ditur Aprovimi për Klasifikimin e Rajoneve Statistikore në Kosovë.
Neni 75 i MSA-së parashikon dërgimin e të dhënave të BPV-së për kokë banori nga Kosova në Eurostat në nivelin NUTS II.
ASK tashmë është duke i ofruar Eurostatit të dhënat e BPV-së dhe tregues të tjerë statistikorë në nivel kombëtar.
Sipas letrës së dërguar nga Kotzeva, Klasifikimi i Rajoneve Statistikore mund dhe duhet të përdoret për furnizim të informacionit statistikor rajonal nga Kosova.
Ky Klasifikim i Rajoneve Statistikore do të përfshihet zyrtarisht si klasifikim NUTS për Kosovën për një anëtarësim të mundshëm në Bashkimin Evropian (BE).