I dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e quajti marrëveshje të rëndësishme dhe historike atë mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit të shtunën në Ohër. Sipas tij, mungesa e nënshkrimit nga palët nuk ndryshon asgjë dhe të dy shtetet kanë obligime ligjërsisht të detyrueshme.
Zëvendës ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike tregoi edhe për obligimet kryesore që rrjedhin për palët.
Mungesën e nënshkrimeve nga palët në këtë marrëveshje, zyrtari i lartë amerikan, nuk e sheh si shqetësuese. Sipas tij, firmat mbi marrëveshjen e dakorduar nuk kanë qenë çështje kryesore në Ohër, por përafrimi i qëndrimeve dhe marrja përsipër e obligimeve.
Escobar deklaroi se rruga evropiane për të dyja vendet është e kushtëzuar nga zbatimi i marrëveshjes së arritur në Ohër. Ai tha se Shtetet e Bashkaura do të jenë ngushtë duke monitoruar dhe asistuar në realizimin e obligimeve për të dy vendet.
Duke iu kthyer çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Esobar tha se për modelin se di do të duket ky mekanizëm do të vendosë Kosova por që i njëjti nuk duhet të cënojë strukturën kushtetuese të Kosovës apo të ndikojë në funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
I dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor nuk deklaroi se tashmë pas arritjes së marrëveshjes pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën do të ndryshojnë qëndrim. Ai tha se uron që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejtë.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim. Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.