Escobar: Kemi probleme në komunikim me kryeministrin Kurti
Lexohet për: 4 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton euron si valutën për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ketë parasysh shqetësimet e komunitetit serb dhe mekanizmit ndërkombëtar për trajtimin e minoriteteve brenda Kosovës”.

Ai ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron, përderisa, “në veri të Kosovës kanë dashur të zbatojnë vendimin brenda 3 javëve”.

Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

Qysh prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.

Escobar pritet t'i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.

Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë, do të ketë në fokus një "zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.

Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

'Probleme në komunikimin' me Kurtin

Escobar e ka pranuar se ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurtin]. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.

I pyetur pse nuk po e viziton edhe Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se situata në Kosovë është “e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.

Dialogu është në 'moment kritik'

Escobar e ka konsideruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – të nisur qysh më 2011, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – “në një moment kritik”.

Ai e ka pranuar se Uashingtoni ka probleme në drejtimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj të Ohrit “në rrugën e duhur”, dhe që sipas perspektivës amerikane, “nuk ekziston asnjë alternativë përveç dialogut”.

I pyetur për pasojat e mundshme ndaj Kosovës dhe Serbisë për moszbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Escobar e ka përmendur ngadalësimin në rrugën e integrimeve evropiane.

Më shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në mars të atij vitit në Ohër është arritur pajtueshmëri edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazike. REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024