Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe
Lexohet për: 5 min.
Emerson-070923
1 vit më parë
Linku u kopjua

(E përditësuar) Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën me dëshminë e zyrtarit ndërkombëtar

Frederick Abrahams do të dalë para trupit gjykues përsëri të hënën e javës së ardhshme ku do të flas nga banka e dëshmitarit në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka dëshmuar për tri ditë me radhë lidhur me raportet që organizata ku ai punon, Human Right Watch, i ka publikuar në periudhën e luftës në Kosovë.

Në pjesën më të madhe të seancës ai është pyetur nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, derisa ka folur për intervistimin që u kanë bërë personave lidhur me krimet e pretenduara të luftës.

Avokati Emmerson është ndalur edhe te hulumtimi i Human Right Watch, i redaktuar nga Fred Abrahams, i cili fliste për keqtrajtimin e serbëve dhe pakicave, në periudhën menjëherë pas luftës kur po ktheheshin refugjatët.

Dëshmitari gjithashtu ka thënë se vlerëson që ka pasur persona të cilët e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në luftime.

Emmerson gjithashtu ka shtruar pyetje rreth një deklarate që dëshmitari e ka dhënë për ZPS-në sa i përket bashkërendimit të UÇK-së.

Pyetje kanë shtruar edhe mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit, si dhe prokurori Alan Tiger.

Gjithashtu, Fred Abrahams i është përgjigjur edhe pyetjeve të trupit gjykues rreth takimit që ai e ka pasur me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn në nëntor të vitit 1998.

Në shumë prej pyetjeve, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet se ai kishte marrë përgjigjet nga Thaçi apo nga Limaj.

Ndërsa kur është pyetur për marrëdhënien në mes të Thaçit dhe Limajt, ai ka thënë se përshtypja e tij ka qenë që Thaçi ishte epror.

Dëshmitari ka thënë se në këtë takim nuk ka diskutuar lidhur me personat e zhdukur të cilët përmendeshin në raportin e organizatës.

Ndërsa lidhur me vrasjet e pretenduara ndaj atyre që njiheshin si kolaboracionistë, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet të ketë diskutuar për këtë në takim me Thaçin dhe Limjan.

Ai është pyetur edhe rreth takimit të dytë me Thaçin, sipas tij në Prishtinë më 1999, për të cilin ka thënë se është zhvilluar kryesisht në gjuhën shqipe.

Pas këtyre pyetjeve, kryegjykatësi e ka mbyllur seancën dhe ka bërë të ditur se dëshmia vazhdon të hënën e 11 shtatorit.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

....................

Emmerson: Raportet e dëshmitarit të prokurorisë janë riciklim i lajmeve serbe

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e Frederick Abrahams, zyrtar i organizatës Human Right Watch, i cili në gjykatore ka dalë si dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve. Ai po intervistohet nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili ka thënë se raportet e dëshmitarit janë vetëm një riciklim i lajmeve serbe.

Abrahams po dëshmon për raportet që ai dhe kolegët e tij i kishit përgatitur në periudhën e luftës në kuadër të punës në Human Right Watch.

Në gjykatore, Emmerson ka thënë se ato raporte kishin cituar Qendrën për të Drejtën Humanitare në shkrimet ku burim ishin mediat serbe.

Ndërsa vet dëshmitari kishte deklaruar se Human Right Watch kishte të njëjtën metodologji pune me Qendrën për të Drejtën Humanitare.

Avokati britanik, Ben Ememrson, ka paraqitur dokumentet ku shihet burimi i raporteve të Human Right Watch.

“Në të thuhet, të gjitha hulumtimet e kryera nga Qendra Humanitare në periudhën nga 1990-1999, të gjitha këto hulumtime kishin një metodologji të përbashkët me atë tonën...Ne sapo pamë këtë shembull të fundit ku ajo çfarë keni bërë ju nuk është asgjë tjetër veçse një riciklim i raporteve të lajmeve serbe në raportin tuaj", ka thënë Emmerson.

Kjo është dita e tretë e dëshmisë së Fred Abrahams para trupit gjykues në Hagë.

Seanca po vazhdon me pyetjet e avokatit Ben Emmerson.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 22 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e Human Right Watch. Ndërsa vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

https://kosovapress.com/admin/fillon-te-degjohet-deshmitari-nderkombetar-mbrojtja-deshmia-e-tij-nuk-eshte-e-bazuar/
https://kosovapress.com/admin/po-shkelen-parimet-e-vendosura-nga-trupi-gjykues-kundershtimet-e-mbrojtjes-ne-seance/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025