Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit, në Maqedoni të Veriut.
Me emërtimin e kësaj rruge, Kurti tha se po shënjohet një triumf i lirisë në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore.
“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, ka thënë Kurti.
Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.