Eman Rrahmani flet për hoxhën Musliu: Kush i bashkohet VV-së, shtyn këtë agjendë...
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Eman Rrahmani flet për hoxhën Musliu: Kush i bashkohet VV-së, shtyn këtë agjendë...
rrahmani 2
17/05/2026 - 13:15
Linku u kopjua

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, ka komentuar përfshirjen e hoxhës Osman Musliu në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se për të më shumë rëndësi ka ideologjia politike sesa profesioni apo emri i kandidatëve.

Rrahmani, i cili është edhe prijës i Listës për Familjen, tha se secili person që angazhohet politikisht në një subjekt, sipas tij, bëhet pjesë e agjendës dhe orientimeve që ajo parti përfaqëson.

Sipas Rrahmanit, LVV-ja që nga viti 2024 ka bërë publike qëndrimet e saj për çështje që lidhen me Kodin Civil, paradat e krenarisë dhe ndryshimin e gjinisë, duke shtuar se kushdo që i bashkohet kësaj partie, sipas tij, mbështet edhe këtë agjendë.

Ndiqeni intervistën e plotë këtu:

Si e sheh Eman Rrahmani përfshirjen e hoxhës Musliu në listën e LVV-së?

“Për mua pak kanë rëndësi emrat edhe profesionet prej nga vijnë. Nëse ti angazhohesh politikisht, ti angazhohesh për një ideologji. Lëvizja Vetëvendosje nga viti 2024, në statutin e saj i ka të qarta orientimet edhe qëndrimet publike madje. Deri në vitin 2022, Albin Kurti kurrë nuk ka dalë publikisht në asnjë paradë të krenarisë, në thonjëza që e quajnë këta, dhe nuk ka pasur asnjë deklarim publik që do të angazhohemi që të ketë ligj për ndërrim gjinie, që të ketë ligj për këto. Prej vitit 2024, Albini është, për sa i përket këtyre çështjeve, transparent me publikun. Ka paraqitur angazhimin e tij, ideologjinë e tij dhe një lloj betimi, në thonjëza, për shtyrjen e kësaj agjende përpara. Kushdo për mua që i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje, i bashkohet me qëllim të shtyrjes së kësaj agjende”, deklaron ai.

Ai në intervistën zgjedhore të KosovaPress foli edhe për raportin mes fesë dhe politikës, duke theksuar se besimi është çështje personale dhe se nuk dëshiron të vlerësojë sa fetar është kryeministri në detyrë Albin Kurti, me të cilin ka bashkëpunuar më herët, apo figura të tjera politike.

Megjithatë, ai akuzoi partitë politike për keqpërdorim të elementeve fetare gjatë fushatave zgjedhore, duke thënë se figura të ndryshme përdoren për përfitime politike dhe elektorale.

Ai deklaroi se personalisht është praktikues i fesë islame, por se angazhimin politik e sheh të lidhur me zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e familjes dhe luftimin e padrejtësive ndaj të gjitha komuniteteve fetare.

“Unë jam një politikan, fillimisht jam praktikues, mundohem me qenë shumë korrekt me parimet fetare në aspektin personal. Përndryshe, unë jam ekonomist dhe profesioni im është ekonomist. Jam një politikan që në politikë kam hyrë për të pasur kryesisht zhvillim ekonomik, me e ndalur padrejtësinë, qoftë ato që bëhen ndaj religjioneve, qoftë atyre islame, katolike apo edhe të tjera, të cilat nuk do të duhej t’i kishte secili deputet. Në aspektin ligjor nuk duhet të lejohet të cenohet askush. Mbrojtja e familjes natyrale, ku ka babë e ku ka nënë, për mua është temë mbi tema, e cila ka ardhur për shkak të veprimeve të kundërta, sepse mua kurrë as në mend nuk më ka shkuar që kur të hyj në Kuvend kam me u marrë me Kodin Civil, me ndërrimin e gjinisë”, përfundon ai./KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026