Elezi: S’ka regjistrim të ri, votimi jashtë Kosovës për rundin e dytë organizohet me votuesit e njëjtë
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Elezi: S’ka regjistrim të ri, votimi jashtë Kosovës për rundin e dytë organizohet me votuesit e njëjtë
546924482_1872791716984547_9072940923247547579_n
23/10/2025 - 11:11
Linku u kopjua

Për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave, që pritet të mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Në rrethin e dytë të Zgjedhjeve Lokale, në ato komuna që do të mbahen këto zgjedhje, votimi jashtë Kosovës përmes postës do të organizohet vetëm për shtetasit që janë regjistruar nga 23 korriku deri më 29 gusht, raporton KosovaPress.

Sipas të dhënave ende jopërfundimtare, rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të Komunave do të mbahet në 18 komuna, ndërkaq numri i votuesve jashtë Kosovës që i takojnë vetëm këtyre komunave është: 29,712.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se kjo është një çështje e rregulluar me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës.

“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar me sukses gjatë periudhës së aplikimit për rundin e parë dhe vetëm për komunat ku do të zhvillohet rundi i dytë. Nuk do të hapet një periudhë e re për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, pasi do të përdoret e njëjta listë e votuesve e miratuar më herët. Numri i përgjithshëm i shtetasve që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, në rundin e parë është 43,933. Nga ky numër do të zbriten votuesit e regjistruar në komunat në të cilat s’do të ketë rund të dytë”, tha ai.

Edhe për rundin e dytë, Elezi tha se KQZ do të sigurohet që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim.

“Ashtu si në rundin e parë, edhe kësaj radhe, KQZ do të sigurohet që, shtetasve të Kosovës që tashmë janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit, t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim. Kjo kosto do të mbulohet nga KQZ. Ndërkaq, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare që janë hapur në 22 shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, rundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna, të cilat kanë numër të ndryshëm votuesish jashtë Kosovës të regjistruar për votim përmes postës: Gjakovë (3,150), Gjilan (2,066), Dragash (2,776), Kaçanik (1,149), Klinë (2,229), Fushë Kosovë (490), Mitrovicë e Jugut (1,186), Obiliq (221), Rahovec (1,902), Pejë (1,897), Prishtinë (1,715), Prizren (2,866), Suharekë (3,325), Viti (1,980), Vushtrri (1,020), Junik (1,344), Mamushë (357) dhe Kllokot (39).

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026