Në një kohë kur fëmijët gjithnjë e më shumë po përballen me sfidat e izolimit, mungesës së aktivitetit fizik dhe ndikimit të teknologjisë në përditshmërinë e tyre, sporti mbetet një nga rrugët më të sigurta për edukim, zhvillim dhe ndërtim të vetëbesimit.
Ndonjëherë, mësimet më të rëndësishme nuk zhvillohen vetëm në bankat e shkollës — por edhe në fushën e lojës, aty ku fëmijët mësojnë të fitojnë, të humbin, dhe të besojnë në veten e tyre dhe të ecin përpara së bashku.
Mbi 50 nxënës të klasave të para u bënë pjesë e një dite të veçantë futbolli, ku çdo rrëzim, pasim apo gol tregoi fuqinë që sporti ka në formimin e karakterit dhe krijimin e lidhjeve mes fëmijëve.
Ky mini turne nuk ishte vetëm një garë sportive, por një pasqyrë e qartë e energjisë, entuziazmit dhe dëshirës që fëmijët kanë për të qenë aktivë, për të bashkëpunuar dhe për t’u ndjerë pjesë e një ekipi. Në fytyrat e tyre shihej gëzimi i lojës, emocionet e çdo aksioni dhe krenaria për të përfaqësuar klasën apo shokët e tyre. Pikërisht aktivitete të tilla dëshmojnë se sporti mbetet një nga mënyrat më të mira për t’i larguar fëmijët nga rutina pasive dhe për t’i afruar drejt një jete më të shëndetshme dhe më sociale.Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Sporti për Edukim dhe Vetëbesim”, që po zbatohet nga organizata jo qeveritare, Qendra për Inovacione dhe Zhvillim, me mbështetjen financiare të Komuna e Prishtinës. Projekti ka për qëllim, promovimin e edukimit joformal përmes sportit, për të nxitur stilin e shëndetshëm të jetesës dhe për të fuqizuar brezat e rinj përmes bashkëpunimit, disiplinës dhe respektit të ndërsjellë.