Edhe AAK kritikon Projektligjin për zyrtarët publik: Qeveria Kurti përmes tij synon kapjen e shtetit
Lexohet për: 3 min.
tahiri
2 vite më parë
Linku u kopjua

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për Projektligjin për zyrtarët publik. Edhe pse i njëjti ende është në fazën e draftimit, partia opozitare, të njëjtin e konsideron antikushtetues dhe që i shërben partisë në pushtet vetëm për kapjen e shtetit.

Grupi Parlamentar i AAK-së, pasi takuan Sindikatën e Pavarur të Administratës së Kosovës të mërkurën, potencuan nevojën e miratimit edhe të Projektligjit për paga.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria Kurti po synon kapjen e 1600 pozita të nivelit të lartë publik në shërbimin civil.

“Përderisa ligji për zyrtarët e lartë publik është ligj që ka vetëm një qëllim, kapjen e shtetit, kapjen e 1600 pozitave të nivelit të lartë, duke filluar prej shefave të njësive, drejtorëve. Po ashtu edhe kontrollin politik me të vetmin qëllim që niveli i mesëm dhe i lartë të jetë në funksion të politikës dhe jo të karrierës dhe shërbimit civil. Ne kemi punuar për 20 vite, bashkë me Bashkimin Evropian, SIGM-në, Ambasadën Angleze dhe gjitha institucionet për të krijuar një meritokraci në këtë sistem. Ligji i tillë është antikushtetues dhe ka qëllim për të kapur në mënyrë që të rritet nepotizmi dhe klientelizmi”, tha ai.

Ai nënvizoi se edhe Projektligji për paga duhet të miratohet gjatë këtij viti në Kuvend dhe të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2023.  

“Ligji i pagave duhet të kalojë sivjet dhe duhet të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2023”, theksoi Tahiri.

Nga ana tjetër, nikoqiri i takimit, Ali Gashi nga Sindikata e Pavarur të Administratës së Kosovës, kërkoi angazhim konkret nga AAK-ja që Projektligji për paga të miratohet sa më shpejt.

“Kërkuam nga Grupi Parlamentar i AAK-së se në bazë të kompetencave të tyre si deputetë të Kuvendit të Kosovës të insistojnë që sa më parë të bëhet miratimi i këtyre dy ligjeve, pasi janë më të rëndësishmet të cilat ka kohë që i presin shërbyesit civil, me theks të veçantë edhe zyrtarët publik në përgjithësi. Ne morëm zotimet nga GP se do të përcjellin këtë temë dhe ne i sigurojmë se do të jemi të gatshëm për bashkëpunim, jo vetëm me GP të AAK-së, por të gjitha të cilat kanë synim që më në fund të kemi ligj të pagave dhe ligj për zyrtarët publik”, tha ai.

AAK-ja gjatë ditës takoi edhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, derisa pritet të takojë edhe Sindikatën e Policisë së Kosovës./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025