Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), tha se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në veri, sa i përket dyshimeve se Serbia po rihap zyrat e saj të Ministrisë së Punëve të Brendshme në katër komunat në veri.
“Gjatë patrullimeve tona të rregullta, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në terren”, thanë nga EULEX-i në një përgjigje të shkurtër dërguar Radios Evropa e Lirë.
Serbia ka pasur strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Por, pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.
Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.
Të dhënat e siguruara nga Rel-i tregojnë se të njëjtat zyre do të hapen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, po ashtu edhe në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë.
Gjithashtu, prezenca e MPB-së së Serbisë është planifikuar edhe në Rudarë afër Zveçanit.
Ndryshe, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe autoritetet serbe kanë thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunat në veri.