Dy persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë si pasojë e infektimit me COVID, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ndërkohë që ka apeluar qytetarët të bartin maskat në ambiente të mbyllura.
Duke bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj COVID-19, IKShPK ka potencuar rëndësinë e vaksinimit kundër virusit.
IKShPK ka treguar edhe simptomat të cilat duhet të shërbejnë si arsye për testim, njofton KosovaPress.
“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, rekomandon IKShPK.
“MSh dhe IKShPK rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, apelon IKShPK.
Kujtojmë se në 24 orët e fundit janë shënuar edhe 12 raste të reja me COVID-19 në të gjithë vendin.