Durmishi: Ura e Ibrit do të hapet, po i bëjmë testimet e fundit për stabilitetin e saj
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar se sot janë duke i bërë testimet e fundit për stabilitetin e Urës mbi lumin Ibër.
Derisa, për të njëjtën ka thënë se do të hapet, por se nuk e din se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
“Këto janë testimet e fundit sepse këto e përcaktojnë stabilitetin e urës. Se kur hapet ura unë nuk e di, por e di që ura do të hapet sepse nuk ka asnjë arsye që kjo urë të jetë e mbyllur duke e marrë parasysh që sot secili qytetar i Kosovës mund të lëviz lirshëm në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun, ashtu siç mund të lëvizin lirshëm në Shtërpcë, në Ranillugë, në Kllokot, në Graçanicë, atëherë është e palogjikshme që kjo urë të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve, dhe gjithashtu duke e parë se edhe kur është projektu kjo urë, edhe kur është ndërtua, është ndërtuar për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve, prandaj ura do të hapet, për ditën se kur do të hapet unë nuk e di”, ka deklaruar Durmishi.
Durmishi, është shprehur se raporti final i cili konstaton se a është ura stabile do të del shumë shpejtë.
E, në rast se i njëjti tregon se ura nuk është e qëndrueshme, atëherë sipas zv.ministrit Durmishi do të fillojnë me procedura të tjera për sanimin dhe stabilizimin e saj.