Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Raportimi i tij për periudhën një vjeçare është bërë me dyer të mbyllura, ndërkohë që është diskutuar rreth aktiviteteve dhe menaxhimit të AKI-së. Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të ftohet në raportim drejtori i përgjithshëm, Petrit Ajeti, i cili do të njoftojë për gjendjen e sigurisë në vend.
Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu tha se janë evidentuar shumë çështje të brendshme të AKI-së, të cilat do të trajtohen ditëve në vijim.
“Të mërkurën e ardhshme do ta ftojmë drejtorin e përgjithshëm të AKI-së, i cili do të na njoftojë për gjendjen e sigurisë në vend, duke pasur parasysh që kemi dëgjuar deklarata të shumta të krerëve të shtetit për ndjeshmërinë e sigurisë në vend dhe rreziqet e mundshme që mund t’i kanosen vendit në ditët në vijim. Si Komision Parlamentar u dakorduam që të marrim informatat e konfirmuara që qytetarëve t’iu servojmë të vërtetat të cilat i ka AKI”, shtoi deputetja e PDK-së.