Dollari u ul sot kundrejt euros dhe funtes, pranë nivelit më të ulët disa mujor, pas rënieve brenda natës të nxitura nga të dhënat që tregojnë një ngadalësim më të madh se sa pritej në inflacionin amerikan në nëntor.
Raporti i Departamentit të Punës të SHBA për ngadalësimin e inflacionit, i publikuar të martën, nxiti bastet e aktorëve të tregut se Rezerva Federale (FED) do të ecë në rrugën e lehtësimit të rritjes së normave të interesit.
Euro mbeti i qëndrueshëm kundrejt dollarit dhe u tregtua me 1,0642 dollarë, jo shumë larg nivelit gjashtëmujor prej 1,0673 dollarësh, që preku në sesionin e kaluar, pas publikimit të të dhënave amerikane për rritjen e çmimeve të konsumit.
Funta, e cila gjithashtu arriti nivelin më të lartë në gjashtë muaj pas raportit të inflacionit në SHBA, u tregtua me 1,2376 dollarë, pas një rënie të shkurtër kur të dhënat e inflacionit britanik treguan një rritje më të vogël se sa pritej në çmimet e konsumit.
Indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e monedhës amerikane ndaj gjashtë rivalëve kryesorë, u rikuperua lehtësisht në 103.91 pikë nga niveli më i ulët gjashtëmujor i mbrëmjes së sotme prej 103.57 pikësh, në të cilin ai ra pas të dhënave për inflacionin amerikan.
Indeksi i dollarit kundrejt një shporte valutash ra 9 për qind nga niveli më i lartë 20-vjeçar i shtatorit, teksa pritjet për një nivel dhe rritje të normës bazë të interesit në SHBA, që kishin nxitur monedhën e gjelbër, filluan të lehtësohen.
Dollari po tregtohet me 0,9277 franga kundrejt frangut zviceran, pasi të martën ka prekur nivelin më të ulët të tetë muajve prej 0,9230 frangash.