Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes nga organizatat dhe familjet strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore, kërkohet më shumë mbështetje për këta fëmijë, por edhe shtim të familjeve strehuese sidomos në komunat të cilat nuk kanë këso lloj familjesh.
Sfidat me të cilat po ballafaqohen këto OJQ, por edhe familjet strehuese ato i paraqitën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, me ç’rast anëtarët e këtij komisioni shprehën gatishmërinë për mbështetje për të ecur përpara ligjet që rrisin mirëqenien e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, por edhe familjeve strehuese.
Krasniqi theksoi se aktualisht familjet e tilla që strehojnë fëmijët pa përkujdesje prindërore nuk janë të shtrira në gjithë territorin e Kosovës.
Drejtoresha e OFAP kërkoi që sa më shpejt të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ për strehim familjar.
Remzie Krasniqi nga SOS Fshati derisa theksoi sfidat me të cilat ballafaqohen si familje strehuese, kërkoi nga shteti më shumë angazhim për t’u dal në mbështetje këtyre fëmijëve.
Si sfidë kryesore ajo identifikoi mbështetjen për fëmijët pas moshës 18 vjeçare, për çka tha se në mungesë të mbështetjes nga institucionet këta fëmijë në këtë moshë po braktisen përsëri.
Familja strehuese nga Obliqi e përfaqësuar nga Fatmire Musliu e cila theksoi se këtë mbrojtje për fëmijët pa përkujdesje e bënë në mënyrë vullnetare vetëm që të jetë pranë kësaj kategorie të fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje.
Edhe Musliu kërkoi fuqizim të familjeve strehuese me qëllim që edhe fëmijët pa përkujdesje prindërore të trajtohen barabartë.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka shpallur 15 majin Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare./B.Ibishi/