Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar të martën kërkesën për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
Kushtetuesja e ka hedhur poshtë kërkesën e Vasilje Arsiç, për shkak të siç thuhet mosshterimit të mjeteve juridike, raporton KosovaPress.
“Sipas sqarimeve të dhëna në Aktvendimin për papranueshmëri, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me miratimin e Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme nga Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, sipas nenit 35 (Valuta euro) të së cilës, është përcaktuar që (i) valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme në kuptim të nenit 11 [Valuta] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16 (Emetimi i valutës), 17 (Këmbimi i kartëmonedhave dhe monedhave të euros) dhe 18 (Kartëmonedhat dhe monedhat e euros të dëmtuara) të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; dhe (ii) Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
BQK ka marr vendim, që nga 1 shkurti i këtij viti, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë euro.