“Mos u frikëso nga i dituri dhe nga analfabeti, por nga gjysëm analfabeti”! ( Kuran)
1.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj, parimi i njohur i Sokratit, “Di, që s’di asgjë”, nga disa është shndërruar në të kundërtën e tij: “Ska asgjë, që s’di”. Të tillët pretendojnë se janë të gjithëdijshëm. Pretendojnë, se dija e tyre është gjithëpërfshirëse, nga njëra sferë e dijes në tjetrën, e nga njëri profesion në tjetrin. Për ta nuk ka kufij të ekspertizës, një çast janë ‘ekspertë’ të diplomacisë, në një rast tjetër të alienëve, e pak më vonë edhe të shumimit të lepujve, etj. E në kohën e revolucionit informatik, kur dija zgjerohet në mënyrë eksponeciale shumë shpejtë, duke u dyfishuar globalisht pothuajse çdo tri vite, kjo, jo që është e pamundur, por edhe anakronike.
Të “gjithëdijshmit” e tillë hasen gjithkund, shpesh me alamet tituj e diploma, por ndoshta edhe pa asnjë libër të lexuar, prezent në jetën publike, në debate, rrjete sociale, në media, e nga ku pamshirshëm, e pandalshëm e bombardojnë opinionin me “margaritarët” e tyre, me agresivitet e duke u hakërryer, e pa e peshuar fjalën. Ata e kanë gjuhën më të shpejtë se mendjen. Nuk donë t’ia dinë për dëmet e pasojat që shkaktojnë, për mjegullën e konfuzionin që përhapin. I alarmuar nga pasojat e vetëgënjimit me tituj e ofiqe të rreme, dhe me pasojat e pa riparueshme për të ardhmen, shkrimtari Kim Mehmeti me të drejtë thotë: “Mjaft doktoruam, le të mësojmë pak tash.”!
Dëmet, që shkaktojnë në shoqëri këta tipa janë të shumta. Dëshira për t’u dukur e përligjur statusin e tyre shoqëror, përfitimet e ndryshme por edhe kompleksi i inferioritetit, mbase janë demonët kryesorë, që i kanë vënë përpara duke i shtyrë me vrap, tërë gulçimë nga gabimi në gabim, e nga mëkati në mëkat.
Flasin shumë, gjithëkund, u pyetën apo s’u pyetën, me fjalorin, që fillon e përfundon thuajse njëjtë: Unë, unë e di, unë e kam parë moti, e kam thënë unë, a të pata thënë unë etj! Për të tillët thuhet: ”Atyre nuk iu mungon fuqia e fjalëve por fuqia e bisedës”! Dhe ndërdija, megjithatë shpesh ua zbulon hilet, veçanërisht kur thuajse pas çdo të dytës fjali thonë me pompozitet: Flas me përgjegjësi dhe kompetencë të plotë, duke zbuluar kështu pavetëdijshëm, pikërisht ato gjëra, që iu mungojnë më së shumti.
Marifetetet e tilla, bëhen akoma më të dëmshme, kur të ‘gjithëdijshmit’ flasin publikisht si opinionistë, debatues e opinionbërës. Këta e kanë halë në sy ekspertizën e dikujt, kurse e urrejnë si djalli temjanin leximin, mësimin e studimin. Ata nuk e honepsin dot, parimin e njohur empirik, se të fituarit e dijes së përgjithshme kalon së pari nga dija e veçantë, e jo anasjelltas. “Dija e paktë, njerëzve iu jep arrogancë, kurse dija e shumtë modesti”, ka thënë da Vinçi.
3.
Prandaj, në këto shtete investohet aq shumë, në edukimin dhe arsimimin e njerëzve, në mënyrë që secili të dallojë ‘mollën’ e kalbur nga e shëndosha. Në këto shtete, është zhvilluar modeli i promovimit dhe vlerësimit të dijes së vërtetë, i ekspertizës profesionale, dhe, ku nuk ka hapësirë për improvizim e kamuflim, e as për përgjithësime e inflacion fjalësh pa përmbajtje.
Kur shpikësi më i madh amerikan, Edisoni u pyet se çka mendon për teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit, ai u përgjigj me çiltërsi: “Asgjë, sepse nuk e kuptoj fare”. Njeriu që kishte bërë qindra zbulime teknike e inxhinierike nuk ngurroi të jetë i sinqertë, e të mos pretendoj të gjithëdijshmin, edhe pse kishte kredencialet e padiskutueshme të ekspertizës në fushën e tij.
4.
Në një shoqëri të lirë, dikush mbase edhe mund të maskohet, të aktrojë e të tentojë të paraqitet i gjithëdijshëm, por shteti dhe shoqëria duhet të krijojnë mekanizmat efikas mbrojtës nga të tillët, duke promovuar e fuqizuar të kundërtën e saj – dijen e vërtetë dhe sistemin e vlerave. Sepse, zhvillimi i shoqërive moderne varet shumë nga krijimi dhe përdorimi i dijes. Eshtë dija e mirëfilltë, mbështetur në njohjen dhe të kuptuarit e thellë të fenomeneve, e jo kurrsesi surrogatët e saj, që sigurojnë progresin.
5.
Shkencëtari i njohur N.Bohr, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për luftën e pandalshme, në mes të dijes dhe injorancës, dhe duke mos e nënvlerësuar në asnjë mënyrë, fuqinë e injorancës ka thënë: ” Dija eshte fuqi, mirëpo, injoranca, për fat të keq, në asnjë mënyrë nuk është pafuqi”. Fatkeqësisht.