Votuesit e regjistruar jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë para shtetasve që jetojnë në Kosovë, për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Periudha e votimit për diasporën e regjistruar do fillojë më 9 janar dhe do përfundojë më 8 shkurt - 31 ditë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregon se Gjermania prin me numrin më të madh të regjistruesve për zgjedhjet 9 shkurtit.
Janë gjithsej 104.924 bashkatdhetarë që do kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet parlamentare.
Shumë prej tyre do votojnë në përfaqësitë diplomatike kosovare, ndërkaq, të tjerët do dërgojnë fletëvotimet në pikat e kutisë postare të KQZ-së."Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës i cili është 104.924 prej të cilëve 20.399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt, ndërkaq 17.104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pako me fletëvotim në adresë të kutisë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe numri më i madh prej 67.421 votuesish janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që do të hapen jashtë Kosovës", thotë Elezi.
Sipas Elezit, këto të dhëna janë pjesë e raportit përfundimtar të certifikimit të Listës Votuese për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që tregon se gjatë periudhës 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës - 29 gusht deri më 26 dhjetor 2024 - u regjistruan 104 mijë e 924 votues jashtë Kosovës.