Në dhunë ka eskaluar protesta e organizuar të mërkurën nga Partia Socialdemokrate kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila gjatë qëndrimit në Kosovë po zhvillonte një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.
Anëtarë të PSD-së porsa përfunduan fjalimet politike kundër Gjykatës Speciale, hodhën mjete shpërthyese dhe tymuese ndaj pjesëtarëve të Policisë sëKosovës, të cilët në numër të madh po e ruanin objektin ku po mbahej takimi i Trendafilovës me shoqërinë civile. Kjo nxiti reagimin e njësive më elite të policisë të cilët arrestuan kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë anëtarëve të tjerë të kësaj partie. Policia shpërndau pjesën tjetër të protestuesve përmes gazit lotsjellës dhe sprejt, ku nuk kursyen as gazetarët, me ç’rast disa prej tyre edhe u lënduan.
Ai tha se sa herë që Kosova është afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka përndjekje të ushtarëve të UÇK-së.
Molliqaj akuzoi edhe kryeministrin Albin Kurti se po i gëzohet qëndrimit në Hagë të ish krerëve të UÇK-së. Ai tha se bash tash kur ish krerët e UÇK-së po qëndrojnë në Hagë, Kurti po i jep autonomi serbëve në Kosovë.
Ai shtoi se qëllimi ka qenë kundërshtimi i vizitës së Trendafilovës përmes metodave simbolike, derisa tha se hedhja e mjeteve shpërthyese dhe tymuese ndaj policisë ka mundur të bëhet në krye veti nga protestuesit.
Ai paralajmëroi se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera në kundërshtim të Gjykatës Speciale.
Pasi u shpërndanë protestuesit në teren dolën edhe zyrtarët e forenzikës të cilët e ekzaminuan vendin ku ka ndodhur protesta dhe mblidhnin provat ku u hodhën mjetet shpërthyese dhe tymueset./KosovaPress/