Dhuna në ndeshjen Gjilani-Ballkani diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës
Lexohet për: 2 min.
incidenti
2 vite më parë
Linku u kopjua

Incidenti i dhunshëm në ndeshjen e xhiros së 27- të në Superligën e Kosovës ku tifozët e skuadrës vendëse sulmuan fizikisht portierin e Ballkanit Stivi Frashëri, i cili mori lëndime trupore dhe më pas u shtrua në spital për trajtim, ka ngjallur reagime edhe në Kuvend.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Sport Albena Reshitaj, e cila këtë ngjarje të dhunshme e ka cilësuar si mesazhin më të keq të mundshëm për futbollin e Kosovës ka thënë se organet përgjegjëse, duke përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës duhet të përkujdesen për sigurinë e të gjithë akterëve brenda një ngjarjeje sportive.

“Skenat që u panë të dielën në stadiumin e Gjilanit ku po luhej ndeshja kryesore kampionale mes Gjilanit dhe Ballkanit ishin mesazhi më i keq i mundshëm i reprezentimit si në nivel vendi ashtu edhe para opinionit ndërkombëtar ku Kosova është tash e gjashtë vjet anëtare e organizmave kryesorë të futbolli global, Federatës Botërore FIFA dhe asaj evropiane, UEFA-së... Organizimet e ndeshjeve sportive do të duhej të ishin obligim i padiskutueshëm i secilit klub, sikurse edhe i organizmave të tjerë të këtij sporti, përfshirë vetë federatën gjegjëse për të ofruar siguri për çdo akterë në fushë, duke përfshirë futbollistët, stafet e skuadrave, gjyqtarët, delegatët e ndeshjeve, gazetarët e deri te vetë tifozët”, tha Reshitaj.

Reshitaj ka bërë thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë dhe të dënohen me dënime maksimale.

“Të shqelmosh në fushë pas asnjë pengesë, është shqetësim i madh si për ne... Kërkoj nga organet kompetente duke filluar nga prokuroria e gjykata që me dënime maksimale të ndëshkojë sulmuesit të cilët vetëm sportin nuk e duan”, tha Reshitaj.

Ndryshe, Komisioni i Garave brenda FFK-së ka marrë vendim që kjo ndeshje t’i takojë Ballkani me rezultat zyrtar 3:0, por skuadra e Gjilanit ka paralajmëruar ankesë për këtë çështje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025