Sot mbushen dhjetë vjet nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, pas shpërbërjes së Kuvendit të atëhershëm, i cili kishte disa muaj që ishte jofunksional pasi Qeveria humbi shumicën.
Ishte data 7 maj 2014 kur koalicioni qeverisës PDK-AKR u shemb me iniciativë të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, pa dëshirën e presidentit të AKR-së, Behxhet Pacolli.Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 7 maj 2014 me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime. Kjo shpërbërje e detyroi vendin të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare 8 qershor 2014, ani pse nuk ishte hera e parë që vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet 2014 u mbajtën sipas ligjit të vjetër zgjedhor, pasi me gjithë reformën e filluar atëherë, udhëheqësit e subjekteve politike nuk arritën pajtueshmëri mbi ligjin e ri për zgjedhjet.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) së bashku me partitë e koalicionit mori 222.181 vota apo 31.38 %, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 184.596 apo 25.24 %, Lëvizja Vetëvendosje 99.397 apo 13.59%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 69.793 apo 9.54%, Lista Serbe 38.199 apo 5.22% dhe Nisma për Kosovën 37.681 vota ose 5.15%.
Pas zgjedhjeve, LDK, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, që në skenën politike njihen si VLAN, ishin barrikaduar kundër PDK-së, duke deklaruar se nuk bashkëqeverisin me PDK-në. Madje kishin formuar një koalicion, ku ishin shumicë dhe provonin të krijonin Qeverinë me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër.
Ngërçi politik i 2014, zgjati për 6 muaj, derisa LDK kishte vendosur ta heqë “L”-në nga “VLAN”, duke e lënë vetëm si VAN.
Në dhjetor të atij viti, Isa Mustafa kishte pranuar ofertën e Hashim Thaçit, atëherë kryetar i PDK-së. Marrëveshja parashihte Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin president pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës.