DFC: Rasti i Banjskës u realizua sipas teorisë së rusit Gerasimov
Më 24 shtator të këtij viti një grup terrorist serb në krye me Millan Radoiçiqin e të nxitur nga shteti serb kishin planifikuar të merrnin veriun e Kosovës, sikurse rusët Donbasin në Ukrainë. Falë informacioneve inteligjente nga strukturat e sigurisë së Kosovës, dhe intervenimit të shpejtë të Policisë së Kosovës ky skenar u parandalua. Në rastin e Banjskas nga shteti serb ishin zbatuar të gjitha elementet e një lufte hibride.
Kështu thuhet në raportin e publikuar nga DFC (Digitalni Forenzicni Centar) me temën “Aktiviteti hibrid rus në Ballkanin Perëndimor - Loja nën Hije”, ku jepen sqarime se rasti i Banjskës ishte i ngjashëm me rastet e pushtimit të Donbass, Luhansk dhe Krimesë në Ukrainë.
“Që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit, Serbia ka projektuar qëllimet e saj politike rajonale përmes taktikave hibride ndaj kërcënimit të serbëve në rajon, duke ndjekur shembullin e taktikave ruse të mbrojtjes së rusëve në Donbass, Luhansk dhe Krime. Kosova është shembull i aplikimit të taktikave hibride ruse nga Donbass. Propaganda mediatike për rrezikun e serbëve në Kosovë, ngritja e tensioneve kombëtare në rajon dhe fushata sistematike e grafiteve ‘Kur ushtria kthehet në Kosovë’ nënkuptojnë përdorimin e doktrinës Gerasimov në Kosovë. Sulmi terrorist në Banjskë, si përmes përgatitjes mediatike, ashtu edhe përmes vetë aktit të sulmit, përmbante të gjitha elementet e taktikave hibride të luftës së Gerasimov”, thuhet në raport.
Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Federatës Ruse, pas të cilit doktrina mori emrin e saj, thotë: luftërat nuk shpallen më dhe kur ato fillojnë, ato zhvillohen sipas një modeli atipik.
Në rastin e Kosovës janë zbatuar të gjitha elementet e një lufte hibride, thuhet aty.
“Formimi i një konflikti të mundshëm u iniciua me krijimin e një krize artificiale për shkak të kërcënimit të serbëve në Kosovë dhe krijimit të pretekstit për përshkallëzimin e konfliktit. Minoriteti serb që jeton në veri të Kosovës ka një rol identik si minoriteti rus në Donbas. Përveç shkrimit të grafiteve, ishte evident edhe rrëfimi i zyrtarëve serbë që akuzonin autoritetet në Prishtinë se dëshironin pogromin e serbëve dhe madje edhe gjenocidin. Ashtu si në Donbass në vitin 2014, rrëfimet e mediave përfaqësuese ruse dhe serbe shërbyen për të krijuar kushte informative për dhunë. Përdorimi i grupeve kriminale dhe formacioneve paraushtarake karakteristike për aksionin hibrid është përdorur këtë herë në Kosovë. Nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, Milan Radoiçiq, me një grup të armatosur mirë ka tentuar të pushtojë qytetin e Banjskës në veri të Kosovës. Sasia dhe lloji i armëve nga dronët, sistemet elektronike të bllokimit, minat kundër personelit, granatahedhësit automatikë dhe sasitë e mëdha të eksplozivëve në mënyrë të papërmbajtshme kujtojnë njerëzit e vegjël të gjelbër të Putinit, të cilët, nën maskën e luftëtarëve për lirinë e Donetskut dhe Luhanskut, kryen aksione separatiste në territorin ukrainas. Doktrina e Gerasimov në rastin e Kosovës është më e dukshme nëse merret parasysh numri i njësive të motorizuara, artilerisë dhe forcave goditëse të Ushtrisë së Republikës së Serbisë, të cilat ndodheshin në kufirin me Kosovën. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blicken, dy ditë pas sulmit në Banjska tha se ka folur me Aleksandar Vuçiqin dhe ka kërkuar tërheqjen e njësive të ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën. Ambasadori rus në Serbi mbështeti autoritetet në Beograd duke iu referuar vazhdimisht rezolutave të OKB-së, por edhe duke komentuar se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë.”
Sipas DFC-së, mënyra se si sundojnë Putini në Rusi dhe Vuçiq në Serbi, përveç kontrollit të brendshëm të proceseve demokratike, nënkupton edhe projeksionin e fuqisë rajonale.
“Integriteti territorial i shteteve ku jetojnë serbët, për dallim nga rusët, është një terren trajnimi për ndërhyrje dhe përdorim të taktikave hibride karakteristike për regjimet autoritare.”