Dëshmitari i 13 i mbrojtjes së Salih Mustafës, Muhamet Ajeti ka folur para turpit gjykues në Hagë për periudhën e shpërnguljes nga Prishtina për në fshatin Zllash dhe bartjen e të plagosurve në prill të vitit 1999. Ai ka thënë se në këtë periudhë nuk e ka takuar Salih Mustafën në Zllash dhe se aty nuk ka parë apo dëgjuar për persona të ndaluar.
Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius von Bone, dëshmitari ka deklaruar se më 30 ose 31 mars të vitit 1999 është larguar nga Prishtina dhe ka shkuar në Zllash përmes rrugëve malore.
I pyetur pse kanë zgjedhur Zllashin që të shkojnë aty, dëshmitari ka thënë sepse atje ishte një pjesë e madhe e UÇK-së të cilët ishin nga Zona Operative e Llapit.
Ai ka thënë se në Zllash janë vendosur në një shtëpi, e cila sipas tij ishte rreth 800 metra larg nga shkolla e fshatit.
Ajeti ka thënë se brenda atij oborri kanë qenë dy shtëpi të vjetra.
Ndërsa nga Zllashi, dëshmitari ka deklaruar se ishte larguar të nesërmen për të takuar familjen e tij, të cilët ishin vendosur në fshatin Keqekollë.
Ai ka thënë se ofensiva në Viti kishte filluar më 16 prill dhe sipas tij nga kjo datë ai kishte qëndruar në Viti deri më datën 20 të atij muaji.
Ndërsa më 20 prill ai ka thënë se është kthyer në Zllash me disa të plagosur dhe se aty tashmë ishte improvizuar një spital.
Gjatë dëshmisë së tij Ajeti ka thënë se në asnjë prej ndërtesave në Zllash nuk ka parë që bëhej roje.
Avokati Von Bone: A keni dëgjuar ju ndonjëherë nga njerëz që kanë qenë aty në atë vend, nëse kanë qenë persona të ndaluar aty, janë mbajtur persona të ndaluar në ndonjë prej këtyre objekteve apo ndonjë vend tjetër aty.
Avokati Von Bone: A keni parë ju ndonjëherë nëse ka pasur njerëz të ndaluar aty?
Dëshmitari Ajeti: Nuk kam parë njerëz të ndaluar aty.
“Salih Mustafën e njoh prej diku tetorit, gjysmës së tetorit të vitit 1998, atë kohë e kam njohur si Cali dhe jo si Salih Mustafa... Jo në Zllash nuk e kam parë. E kam takuar Sali Mustafën në tetor të vitit 1998 në Prishtinë, e kam takuar ato ditë kur kemi dashur me lëshu Prishtinën, dhe me të plagosur e kam takuar në fshatin Koliq në periudhë të luftës kur kemi qenë duke i dërguar të plagosurit, aty e kam takuar në Koliq. Në Koliq kur e kam takuar mendoj që ka qenë 21 ose 22 prill”, ka thënë ai.
Sipas dëshmitarit, në Koliq, Salih Mustafa kishte kërkuar që të plagosurit të dërgohen sa më parë për në Majac.
Muhamet Ajeti ndër të tjera ka deklaruar që në UÇK është kyçur në fund të qershorit apo fillim të korrikut të vitit 1998 në Zonën Operative të Llapit.
Për këtë ai ka thënë se kishte shkuar në Shalë të Bajgores ku qëndronte Zona Operative e Llapit, por sipas tij herën e parë e kanë kthyer prapa për shkak se numri ishte i mbushur dhe se Ajeti ishte vetëm 17 vjeç.
Ajeti po dëshmon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.