Edhe një tjetër dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka nisur dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai po intervistohet nga prokuroria në seancë private, lidhur me periudhën e vitit 1998 kur ai pretendon se është mbajtur e keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së.
Një përmbledhje të dëshmitarit me kodin 4337 e ka lexuar prokuroi James Pace, sipas së cilit, ai ishte marrë nga shtëpia e tij në vitin 1998 dhe ishte mbajtur i ndaluar për rreth një muaj.
Pyetjet sqaruese për këtë dëshmitar janë zhvilluar në seancë private e cila pastaj ka vazhduar me përmbajtje të redaktuar apo tërësisht e mbyllur për publikun.
Tutje, gjykata ka lëshuar në transmetim publik një pjesë të shkurtë të dëshmisë së këtij dëshmitari.
Ky është dëshmitari i dymbëdhjetë i ZPS-së në gjykimin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Gjykimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të tyre.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.