Dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës ka thënë se verifikimin e personave të cilët dyshoheshin se kishin lidhje me Serbinë, e bënin komandantët e UÇK-së në Kukës.
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ai ka përmendur emrat e Xhemshit Krasniqit, Sali Saramatit dhe Hafir Hoxhës. Dëshmitari që mban numrin 10 ka vijuar të pyetet përmes fotografive dhe skicës që ai kishte bërë gjatë intervistimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në vitin 2019. Prokurorja disa herë ka rikujtuar deklaratat që kishte dhënë atëherë, të cilat kishin mospërputhje me dëshminë e sotme.
Prokurorja: Gjatë intervistës që i ke dhënë ZPS-së në vitin 2019 ju është bërë pyetja që pasqyrohet në rreshtin 5. Kë tjetër patë kur keni arritur për herën e parë, keni dhënë përgjigjen: Hafir Hoxha. A mund të vendosni ‘HH’, ku ka qëndruar ky person dhe më pas keni bërë shënimin ‘HH’ në skicën që keni pasur përpara, a të kujtohet kjo?
Dëshmitari: Po.
Dëshmitari: Po”, është përgjigjur dëshmitari përmes video-lidhjes.
Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia edhe një herë ka kërkuar nga dëshmitari që i njëjti ta thotë të vërtetën.
Prokurorja tha se në deklaratën e mëparshme, dëshmitari kishte thënë se kishte shkuar për një qëllim konkret. Dëshmitari i pestë në rastin e Pjetër Shalës ka thënë se verifikimin për personat e dyshuar në “ndërtesën 1” e bënin komandantët.
Dëshmitari i cili gjatë ditës së sotme tha se ka qenë ushtar i thjeshtë, shtoi se këtë e kishte kuptuar pasi që dy ditë kishte qenë kujdestar. Pas pyetjes se a i kishte marrë këto informacione nga të intervistuarit, është mbajtur seancë private.
Dëshmitari: Saktë është, ashtu është.”, ka treguar dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës.
Prokurorja ia ka kujtuar dëshmitarit deklaratën e vitit 2019, i cili kishte thënë se e kishte parë disa herë Shalën.
Në pyetjet e prokurores se kur e kishte parë Shalën, ka pasur përmbajtje të redaktuar.
Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme është dëgjuar edhe dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./Sh.Pajaziti