Dëshmitari i 11 i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, Musli Halimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius von Bone lidhur me aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se në fshatin Zllash ka shkuar më 15 janar 1999 ku ka qëndruar në një objekt, i cili sipas tij ka shërbyer si qendër stërvitore për ushtarët.
Në pjesën e parë të seancës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Halimi ka deklaruar se nga viti 1993 ka jetuar në Gjermani prej ku pastaj ka shkuar në Shqipëri në vitin 1998. Nga Shqipëria ai ka thënë se ka shkuar në Zllash, në janar 1999.
Halimi ka thënë se gjatë bombardimeve të NATO në mars të ’99-së ai ka qenë në Zllash në qendrën stërvitore që sipas tij ishte e vendosur në një objekt shkolle.
“Aty është paraparë të hapet një qendër stërvitore dhe unë jam njohur me ish- komandantin e brigadës Adem Shehun në Tiranë dhe ai ka qenë qëllimi që unë të shkoj në Zllash. 15 ditë ka qenë parapërgatitje për hapjen e qendrës stërvitore 15 janar deri më 1 shkurt. Qendra stërvitore ka qenë në fshatin Zllash. Aty ka qenë një shkollë fillore nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Ajo është shfrytëzuar për qendër stërvitore”, ka thënë ai.
Në Zllash, dëshmitari ka thënë se kanë qenë edhe eprorë të tjerë si Rrahman Dini, Sejdi Veseli dhe Fatmir Sopi.
“Shtabi i brigadës ka qenë 500 metra larg qendrës stërvitore më poshtë se qendra stërvitore në fshat, në një objekt privat, në një shtëpi private, aty kanë qëndruar ata”, ka thënë Halimi.
“Është dashur të bëhet zgjimi në mëngjes, ka qenë higjiena personale dhjetë minuta, është dashur të bëhet fizkulturë e mëngjesit, të kthehen në shkollë t’i rregullojnë krevatet, higjienën personale, të përgatiten rresht për ngritjen e flamurit. Para ngritjes së flamurit është bërë një inspektim i çdo ushtari a është i qethur, i rruar, i përgatitur, nëse nuk ka qenë ka marrë dënim është dashur të bëjë atë punë, nëse ka qenë në rregull është ngritur flamuri. Ne i kemi dërguar në mëngjes për ushqim nga ora 8 ka filluar mësimi dhe jemi marrë me aktivitete ditore deri në mbrëmje. Në mbrëmje ka qenë prapë zbritja e flamurit, pushim, fjetje”, ka thënë dëshmitari.
Në prill të ‘99-së, dëshmitari ka thënë se ka shkuar në Prapashticë dhe se nga data 10 e atij muaji nuk është kthyer më në Zllash.
Musli Halimi po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Salih Mustafës.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.