Deri në fillimin e vitit 2024 pritjet për rezonancë magnetike
Lexohet për: 3 min.
tema-pritjet-190323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Deri në fillimin e vitit 2024 pacientët që nuk marrin shërbime në spital duhet të presin për të kryer rezonancë magnetike. Kjo listë e gjatë e pritjes po krijohet për shkak të kërkesave të mëdha ditore që po referohen për këtë lloj shërbimi diagnostik.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shkëndije Nuza, e cila ka thënë se listë të pritjes për rezonancë magnetike nuk ka për rastet spitalore dhe ato të sëmundjeve onkologjike.

Ajo ka theksuar se pritjet më të gjata janë tek pacientët ambulantorë, por është shprehur se po punojnë në drejtim të zvogëlimit të kësaj liste.

“Terminet klasifikohen në termine për pacientë spitalorë nuk ka (listë pritjeje) për arsye se vendos klinicisti, për të cilët e kanë një organogram që i është dorëzuar secilës klinikë veç e veç për të pasur ditën dhe orën e caktuar për kohën kur ka për të kryer incizimin... Listë të pritjes për fëmijë, nëse mund ta quajmë, 1 javë apo mesi i javës tjetër, nuk është listë e pritjes. Me funksionalizimin e shërbimit radiologjik tek spitali i fëmijëve, dita-ditës që po pritet, atëherë nuk do të ketë listë të pritjes hiç tek fëmijët.... Fillimi i 2024-ës (zgjat lista aktuale e pritjes), por për momentin në muajin mars dhe prill jemi duke i sistemuar pacientët e muajit qershor, jemi me dy muaj përpara”, ka theksuar Nuza.

Drejtoresha e Radiologjisë në QKUK, Shkëndije Nuza është shprehur se kërkesat për rezonancë magnetike janë jashtëzakonisht të mëdha.

Sipas saj, brenda ditës 50 deri në 60 kërkesa janë për këtë të marrë këtë lloj shërbimi.

Ajo ka thënë se si klinikë vazhdimisht janë ballafaquar me mungesë të stafit infermieror, prandaj shpreson se së shpejti me konkursin e fundit të hapur për infermierë do të kenë mundësi edhe për ofrim të shërbimeve të tjera.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës viteve të fundit është ballafaquar me ikjen e profesionistëve shëndetësorë, por Nuza është shprehur se kjo dukuri nuk e ka prekur Klinikën e Radiologjisë.

“Në aspektin e specialistëve nuk kemi ikje, ka kohë është stafi i njëjtë vetëm një mjek është pensionuar as nuk e kanë lëshuar punën siç ndodh të kalohet në sektorin privat, apo jashtë vendit. Për momentin ne i kemi 29 specialistë të Klinikës së Radiologjisë dhe janë 34 specializantë viti i tretë që edhe 1 vit e gjysmë e kryejnë specializimin dhe do të jenë të gatshëm për mbështetje të stafit”, ka shtuar ajo.

Në fund të muajit të kaluar, në Spitalin e Pejës është funksionalizuar aparatura e rezonancës magnetike./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024