Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka vendosur në foltoren e Kuvendit të Kosovës një pankartë të ministres së Arsimit, Arberie Nagavci dhe të anëtares së kryesisë Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Milahit, si dhe shenjën e shtëpisë botuese “Albas” në mes, duke thënë se përmes saj janë vjedhur miliona.
Ai pati një përplasje me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për çka kjo e fundit u akuzua për vjedhje milionëshe në procesin e subvencionimit me tekste shkollore për nxënësit.
Ndër të tjera, ai tha se subvencionimi i nxënësve me tekste shkollore është një skenar përmes të cilit është bërë korrupsion e krim i organizuar.
Lidhur e këto akuza, Nagavci tha se e ka të pamundur të diskutojë për tekstet shkollore me folësit që sipas saj i ka zgjedhur PDK-ja, derisa tha se kjo parti nuk ka ide se si funksionon procesi i furnizimit me tekste.
Ndër të tjera, Nagavci tha se shumë shpejtë do të publikohet një raport i auditorit, i cili do të tregojë keqpërdorimet miliona euroshe në procesin e dixhitalizimit.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023-2024. /Z.Zeneli/