Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar sot Bordin e KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se kanë bërë shkelje duke caktuar Përparim Kabashin si ushtrues detyre i kryeshefit në KEK.
Në debatin parlamentar në Kuvend, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, Shala ka thënë se derisa Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK-ut nuk distancohen nga ish kryeshefi i arrestuar Nagip Krasniqi janë po aq përgjegjës sa ai.
Javën e kaluar është arrestuar kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, po ashtu për ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.
Dje, pas disa ditëve të arrestimit të Krrasniqit, Bordi i KEK-ut e ka pezulluar atë nga puna, derisa ka emëruar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut./KosovaPress/