Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se s'do ketë themelim të Asociacionit, pa u zbatuar në tërësi marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që sjell njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia.
Sipas deputetit të partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, plani euro-amerikanë për sekuencimin e ujdisë së Brukselit është gjithpërfshirës, ku mes tjerash edhe drafti për Asociacionin bazohet në Kushtetutën e vendit dhe që s'do të ketë kompetenca ekzekutive.Sipas tij, për Kosovën do të jetë e papranueshme që Asociacioni të trajtohet vetëm si pikë e veçantë dhe mos të ketë plan të qartë të zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Ai akuzon Serbinë për qasje destruktive në dialog, madje sipas tij edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme atje në kohën kur ka përpjekje të shtuara ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën tregon një gjë të tillë.
Ndërkaq, e sheh të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Së fundmi diplomatët euro-amerikanët paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që sipas tij Vuçiq refuzoi./E.Zeqiri/