Presidentja Vjosa Osmani është në sinkron të plotë me partitë opozitare, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni. Madje, ai e quan një skenar mirë të organizuar për të moszgjedhur presidentin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.
Sipas tij, një gjë e tillë dëshmohet edhe në deklarimet publike të tyre në mbrojtjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe interpretimin e Kushtetutës, siç thotë, duke i shtuar tekst edhe përtej dispozitave aktuale.
“Partitë opozitare që janë sinkronizuar me presidenten që menjëherë të dalin t'ia mbështesin dekretin, që menjëherë ta bëjnë një interpretim të njëjtë të asaj çka parasheh Gjykata Kushtetuese, unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me një, unë nuk do të doja ta quaja, mirëpo duket me një skenar të sinkronizuar mirë se ka duhet të ecet, të krijohet një momentum. Të koordinuar? Nuk mund ta them se nuk kam informacion, mirëpo nga deklarimet publike vërehet qartazi se kemi njëfarë sinkronizimi, një skenar të sinkronizuar mes forcave politike opozitare në interpretimin e kushtetutës, madje duke i shtuar edhe tekst përtej asaj çfarë thotë neni 82 në pikën tre, por gjithashtu edhe duke i dhënë një mbështetje shumë të fortë presidentes Vjosa Osmani në deklarimet e saja dhe në frustrimin e saj sa i takon asaj pse Vetëvendosje nuk e paska mbështetur. Mirë, po ne e patëm fazën e konsultimeve. Nëse qenka e frustruar ndonjëra nga forcat politike, pse Vjosa Osmani nuk paska pasur mundësi me u zgjedhur me datën 5, ato do duhej të ishin në Kuvend aty. Aty të flisnin edhe të propozojnë edhe mandej të shihnin epilogun”, thotë ai.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti i ka mbajtur zotimet me Vjosa Osmanin, pasi e ka bërë presidente për mandatin 2021-2026.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e mirëpret masën e përkohshme mbi dekretin e presidentes Vjosa Osmani, por e konsideron të panevojshme pezullimin e punës edhe të Kuvendit.
Krahas kësaj, ai thotë se Kushtetuesja duhet të fokusohet më shumë te një vendimmarrje e shpejtë e përmbajtjesore dhe të anashkalojë presionet nga secila palë.