Publikimi i lajmeve të pakonfirmuara ka shkaktuar dëm të madh tek viktimat dhe në vet procesin e hetimeve. Kështu u tha në punëtorinë "Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë", ku po marrin pjesë rreth 30 zyrtarë për informim nga sistemi prokurorial e gjyqësor në Kosovë.
Kjo punëtori po organizohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), ku pjesëmarrësit janë zyrtarët për informim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të gjitha prokurorive themelore, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave në vend.
Udhëheqësja e Zyrës për Informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu theksoi nevojën për numër më të madh të stafit në fushën e komunikimit.
"Ne vazhdojmë të jemi nga një person në zyrat për informim që paraqet një sfidë te veçantë në mundësinë për të transmetuar sa më shumë informacion, për të informuar sa më shumë publikun për zhvillimet në gjyqësor, për aktgjykimet. Kështu që kjo është sfida kryesore aktuale. Përndryshe nga viti në vit transparenca po shkon duke u rritur. Numër shumë i madh i aktgjykimeve publikohen çdo ditë. Nëse nuk gaboj tani i kemi mbi 150 mijë aktgjykime të publikuara në uebfaqe", deklaroi Uka-Lutfiu.
"Kemi një numër të madh të portaleve që shkojnë më shumë me gazetarinë copy-paste edhe që nuk i njohin mirë ligjet dhe nuk e njohin dëmin që mund të shkaktojnë në publik apo në hetim të rasteve. Dhe në këtë aspekt mendoj që kishte qenë nevojë urgjente që të rregullohet kjo fushë sepse ka raste që janë dëmtuar hetimet, kur është shkaktuar dëm i madh tek viktimat. Ideja e plasimit të një lajmi pa konfirmimin prej personave kompetent, në këtë rast prej zëdhënësve të gjykatave, është gabimi themelor qe bëhet në transmetim të lajmit në publik", shtoi ajo.
E përgjegjësi për komunikim publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Bedri Gashi tha se ka sfida në realizimin e niveleve të komunikimit.
Punëtoria e cila po mbahet në Durrës po vijon sesionet, ku do të diskutohet edhe për menaxhimin e komunikimit ndërinstitucional me publikun në situata krizash.
Kjo punëtori me temën "Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë", po mbahet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe financohet nga Misioni i Kombeve të Bashkura në Kosovë- UNMIK./Sh.Pajaziti